BSH optimiste, ndikimi i krizës në Lindjen e Mesme në inflacion dhe rritje do të jetë kalimtar
Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia shqiptare do të vijojë të ruajë ritme pozitive rritjeje, ndërsa ndikimi i konfliktit në Lindjen e Mesme mbi inflacionin dhe aktivitetin ekonomik pritet të jetë i moderuar dhe kalimtar.

Në Raportin e Politikës Monetare për tremujorin e dytë të vitit 2026, Banka e Shqipërisë thekson se skenari bazë është ndërtuar mbi supozimin e një përfundimi të shpejtë të konfliktit dhe të një normalizimi gradual të çmimeve të naftës gjatë vitit të ardhshëm.
Sipas bankës qendrore, ekonomia shqiptare pritet të vijojë rritjen edhe gjatë vitit 2026, megjithëse me ritme disi më të ngadalta krahasuar me vitet e fundit.
Po ashtu, inflacioni parashikohet të mbetet disi më i lartë se projeksionet e mëparshme, por pa devijime të forta mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë.
Kriza në Lindjen e Mesme po rrit pasigurinë globale
Raporti vlerëson se konfliktet në Lindjen e Mesme dhe rritja e shpejtë e çmimeve të naftës kanë filluar të ndikojnë ekonominë globale dhe presionet inflacioniste.
Sipas Bankës së Shqipërisë, efektet direkte të krizës tashmë po reflektohen në rritjen e inflacionit ndërkombëtar, ndërsa efektet indirekte mbeten ende të vështira për t’u parashikuar.
Banka nënvizon se ndikimi final do të varet kryesisht nga kohëzgjatja dhe mënyra e zgjidhjes së konfliktit.
Në këtë klimë pasigurie, shumica e bankave qendrore në botë kanë zgjedhur të mbajnë të pandryshuara normat e interesit gjatë muajve të fundit.
BSH: Ekonomia shqiptare ka ekspozim të moderuar
Sipas Bankës së Shqipërisë, ekonomia shqiptare paraqitet më pak e ekspozuar ndaj goditjeve nga çmimet e energjisë, për shkak të peshës relativisht të ulët të naftës në shportën e konsumit dhe rritjes së eficiencës energjetike.
Një tjetër element pozitiv, sipas raportit, është fakti që ekonomia shqiptare po përballet me këtë situatë nga një pozicion makroekonomik më i qëndrueshëm, me nivele më të mira sigurie financiare dhe pritshmëri më të stabilizuara.
Këto faktorë, sipas Bankës së Shqipërisë, krijojnë më shumë hapësira për administrimin e goditjeve të jashtme.
Dy skenarë alternativë për ekonominë
Banka e Shqipërisë paralajmëron se pasiguria mbetet e lartë dhe për këtë arsye po monitorohen edhe skenarë alternativë.
Nëse konflikti në Lindjen e Mesme zgjatet ose përshkallëzohet, duke krijuar probleme serioze në zinxhirët globalë të furnizimit, presionet inflacioniste mund të rriten më shpejt dhe ekonomia të ngadalësohet më fort.
Në këtë rast, politika monetare mund të kërkojë reagim më të ashpër.
Ndërkohë, nëse situata stabilizohet shpejt dhe çmimet e energjisë rikthehen pranë niveleve para krizës, efektet në ekonominë shqiptare pritet të mbeten të kufizuara dhe të përkohshme.
Norma bazë mbetet në 2.5%
Në mbledhjen e fundit, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2.5%.
Sipas institucionit, ky qëndrim synon ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe mbështetjen e aktivitetit ekonomik në kushtet e rritjes së pasigurisë ndërkombëtare.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)